Share the post "Posta e Maqedonisë së Veriut shënoi 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me emetim të pullës postare përkujtimore"
Në një ceremoni solemne të organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Posta e Maqedonisë së Veriut prezantoi sot pullën postare përkujtimore kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky jubile i rëndësishëm historik përfaqëson 250 vite lirie, demokracie dhe vlerash universale si drejtësia, barazia dhe respekti për të drejtat e njeriut – vlera që vazhdojnë të frymëzojnë shoqëritë demokratike në mbarë botën.
Përmes këtij emetimi filatelik, Posta e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që nderon një moment të rëndësishëm historik, por gjithashtu riafirmon miqësinë tradicionale, respektin e ndërsjellë dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, diplomatë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, media dhe mysafirë të ftuar, ndërsa fjalime mbajtën Drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë së Veriut, z. Orhan Kurtishi, përfaqësues të Ambasadës Amerikane si dhe Prof. Dr. Skender Asani nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve.
Fjalimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut, z. Orhan Kurtishi
Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë që sot, në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, t’ju mirëpres në këtë ceremoni të rëndësishme me të cilën shënojmë 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo datë përfaqëson një moment të jashtëzakonshëm historik jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për historinë moderne të demokracisë, lirisë dhe të drejtave universale të njeriut. Janë pikërisht këto vlera që kanë ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet kombeve dhe kanë krijuar themelet e partneriteteve të forta që vazhdojnë edhe sot.
Për ne, si institucion publik me traditë dhe përgjegjësi të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filatelike, është privilegj i madh që këtë jubile ta nderojmë përmes emetimit të një pulle postare përkujtimore, e cila simbolizon respektin tonë për këtë përvjetor historik dhe njëkohësisht pasqyron miqësinë e sinqertë ndërmjet vendeve tona.
Filatelia gjithmonë ka qenë më shumë sesa komunikim postar. Ajo ruan historinë, dokumenton ngjarje që kanë rëndësi për shoqëritë tona dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet kulturave dhe popujve.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndër vite kanë ndërtuar marrëdhënie të bazuara në respekt, partneritet dhe bashkëpunim të ndërsjellë, dhe ne jemi krenarë që përmes këtij emetimi japim kontributin tonë simbolik në forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve.
Në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, shpreh urimet tona më të sinqerta për popullin amerikan me rastin e këtij jubileu të madh dhe uroj që miqësia ndërmjet vendeve tona të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen.
Ju faleminderit për praninë tuaj dhe ju uroj një ceremoni të suksesshme.
Pulla përkujtimore është dizajnuar nga Larisa Donev, me vlerë nominale prej 43 denarë dhe është emetuar në një tirazh prej 6.000 ekzemplarësh.
Posta e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar që përmes filatelisë të promovojë ngjarje historike me rëndësi ndërkombëtare dhe të vazhdojë të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe miqësie mes popujve dhe vendeve.
Shqip












