Ahmeti është një nga aktorët më të talentuar të Teatrit Shqiptar, i cili la gjurmë të thella përmes personazheve që luajti, si në skenën e teatrit ashtu edhe në ekranin e filmit, tha drejtoresha e përgjithshme Bujare Abazi në fjalimin e saj para të pranishmëve, duke promovuar pullën postare kushtuar aktorit Luran Ahmeti.
Madhështorja, Rumelia, Lugina e Ujqërve, Bal-kan-kan, Taken 2, Limonada, janë vetëm një pjesë e veprës së tij të pasur filmike – personazhe që ai solli dhe luajti me mjeshtëri. Ahmeti ishte pjesë e kastit të filmit të parë maqedonas të xhiruar në gjuhën turke me titullin e punës “Gjëja më e vështirë”.
Për karakterin dhe veprën e Luran Ahmetit në promovim folën anëtarët e familjes më të afërt, ndërsa kujtime për personazhin dhe veprën e tij ndanë edhe kolegët e tij, aktorë, me të cilët luajti një numër të madh dramash.
Pulla postare “Luran Ahmeti 1974 – 2021” është shtypur në tirazh prej 6000 kopjesh, me vlerë nominale 36 den.
Dizajneri i pullës postare është Tahar Alemdar, i cili në këtë copë letre të vogël, me vlerë të jashtëzakonshme në botën e filatelisë, prezantoi imazhin e Luran Ahmetit dhe imazhet e personazheve të tij, teatrale dhe filmike.