Share the post "Promovohet pulla e përbashkët postare e Postës së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës"
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Postën e Kosovës për shtypjen e pullës së përbashkët postare, sot më dt. 23 mars 2016 në Prishtinë, Posta e Maqedonisë dhe Posta e Kosovës realizuan promovimin e përbashkët të pullës postare “Turizmi malor”.
Përmes kësaj pulle dizajnuesit na ofruan pamje nga bukuritë e rralla të bjeshkëve të Sharrit, pamje nga Kodra e Diellit në Maqedoni dhe Brezovicë në anën e Kosovës. Çdo pullë postare me vete mban rrëfim të prezantuar në një pjesë të vogël të letrës të mbushur përplot me art, por me mundësi të qarkullojë gjithandej për të dërguar porosi.
Drejtori i Postës së Maqedonisë, z. Faadis Rexhepi, duke promovuar pullën e përbashkët postare “Turizmi malor” theksoi se “veprimtaria postare i tejkalon kufijtë, ajo paraqet urë lidhëse mes vendeve dhe kulturave të ndryshme. Ai më tej shtoi se me këtë pullë postare turizmit të të dy vendeve Maqedonisë dhe Kosovës u japim një mbështetje dhe promovim të vazhdueshëm”. Ndaj, sipas tij, kufijtë nuk paraqesin pengesë për bashkërenditje të aktiviteteve të përbashkëta.
Drejtori i Postës, z. Rexhepi më tej deklaroi: Më gëzon fakti që për një kohë shumë të shkurtë pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim mes dy drejtorive i njëjti edhe realizohet. Pas emetimit të kësaj pulle të përbashkët postare do të ketë edhe aktivitete tjera që do të realizohen për të mirën e ndërsjellë të drejtorive postare dhe shfrytëzuesve tonë”. Ai shtoi se “kjo pullë postare le të paraqet edhe një shtytje shtesë për realizim edhe të projekteve tjera për bashkëpunim mes dy vendeve tona”.
Në promovimin e pullë së përbashkët postare fjalim kishte edhe drejtori i bordit të Postës së Kosovës z. Halit Isufi, i cili potencoi se në çdo shtet, misioni i filatelisë së çdo Poste është promovimi i vlerave dhe pasurive nacionale përmes imazheve që përcillen nga pullat postare, dhe përfundoi se sot gjithashtu po forcojmë edhe më shumë urat e bashkëpunimit mes dy administratave postare, si dhe mes Kosovës dhe Maqedonisë, në përgjithësi. Sipas tij, “jam i bindur se dy drejtorët, z. Rexhepi dhe z.Hoxha, do të na sjellin edhe projekte tjera të përbashkëta”, për çka edhe janë zotuar me marrëveshjen e nënshkruar para disa ditësh në Shkup.