ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” reagon ashpër ndaj deklaratave të publikuara nga LSDM, të cilat përmbajnë pretendime të pavërteta, të pasakta dhe tendencioze në lidhje me procedurën për zgjedhjen e operatorit ekonomik për mirëmbajtjen e higjienës në objektet e Postës.
Këto deklarata përbëjnë një përpjekje të hapur për keqinformim të opinionit publik, manipulim politik dhe diskreditim të një institucioni shtetëror, përmes shtrembërimit të fakteve dhe keqinterpretimit të dispozitave ligjore që rregullojnë procedurat e prokurimit publik.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” thekson qartë dhe pa ekuivoke se procedura për përzgjedhjen e operatorit ekonomik është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurime Publike, mbi baza transparente, konkurruese dhe të verifikueshme. Çdo fazë e procedurës është e dokumentuar dhe e kontrollueshme nga institucionet kompetente.
Pohimet se bëhet fjalë për “favorizim”, “keqpërdorim” apo “marrëveshje të dyshimta” janë tërësisht të pabazuara dhe përbëjnë shpifje që dëmtojnë rëndë reputacionin institucional të Postës dhe integritetin e punës së saj.
Veçanërisht theksojmë se:
• mirëmbajtja e higjienës në Postë prej vitesh realizohet përmes operatorëve të jashtëm për shkak të pamundësisë ekonomike dhe organizative për realizim me staf të brendshëm;
• procedura është e paraparë në Planin e Prokurimeve dhe është zhvilluar sipas të gjitha standardeve ligjore;
• ligji lejon qartazi pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë individualë ose në formë grupi, si dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të subjekteve të treta;
• çdo insinuatë për “keqpërdorim” apo “shkelje” është e pabazuar dhe politikisht e motivuar.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” nuk do të lejojë që interesat partiake të përdoren për të minuar besueshmërinë e institucionit dhe për të dezinformuar publikun. Në këtë drejtim, paralajmërojmë se nëse vazhdojnë sulmet e pabazuara dhe përhapja e të pavërtetave, institucioni do të ndërmarrë të gjitha mjetet ligjore të parashikuara me ligj për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të tij.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje LSDM-së që të përmbahet nga manipulimet politike dhe të veprojë në përputhje me standardet e përgjegjësisë publike, duke mos keqpërdorur tema administrative për përfitime politike afatshkurtra.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies, dhe është e gatshme të vërë në dispozicion të gjitha faktet dhe dokumentacionin përkatës para çdo institucioni kompetent.
Kabineti i Drejtorit të Përgjithshëm
ShA „Posta e Maqedonisë së Veriut
Shqip





