Vizita e Papës në pullë postare
Sot, vetëm një ditë para vizitës historike në vendin tonë të kreut të kishës rimo-katolike Papa Françesku, Posta e Maqedonisë përveç nderit dhe kënaqësisë nga vizita e Atit të Shenjtë, promovoi pullën postare “Vizita e parë e Papës në Republikën e Maqedonisë së Veriut “.
„Papa Françesku-bashkëkohori i parë i fjalës apostolike vjen edhe për të nderuar emrin e bijës të gjakut tonë Gonxhe Bojaxhiu-Shejtërinë e Nënës Terezë. Aq më tepër kur ai bartë mesazhin e tolerancës në një vend multikonfesional, multikulturor e multinacional.
Ardhja e tij në vendlindjen e Shenjtores Nënë Terezë, e cila u bë ndërgjegje morale për botën, në vete bartë simbolikë të veçantë dhe porosi për pajtim dhe solidaritet.
Pullat postare janë prodhime filatelike të cilat ndihmojnë për të kuptuar dhe zgjëruar njohuritë, veçanërisht tek të rinjtë, nxisin miqësi mes njerëzve në tërë botën dhe kultivojnë vlera të përbashkëta njerëzore. Kjo është edhe porosia e Papa Françeskut: dashuri, paqe dhe bashkëjetesë”, theksoi drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Ejup Rustemi.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalën e tij theksoi: “Ne, edhe pse të vegjël me territor dhe me numër të banorëve, kemi çka të ofrojmë në ndërtimin e një bote më të bukur për të gjithë. Shembull ekskluziv për këtë është e jona Gonxhe Bojaxhiu, shenjtorja Nënë Terezë e cila në mënyrë të palodhshme e dhe veten dhe gjithë qenien e vetë që ti ngushëllojë të varfrit, të pamundurit, të sëmurët. Vizita e Papës Francisk le të jetë inkurajim për të gjithë ne të jemi njerëz më të mirë, më tolerant ndaj të ndryshmëve prej nesh, përfaqësues të ndërgjegjshëm dhe të përkushtuar të popullit të cilët do të jenë të përkushtuar në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për gjeneratat e ardhshme”, tha ai.
Falënderim me rastin e promovimit të pullës postare “Vizita e parë e Papës në Republikën e Maqedonisë së Veriut shprehu edhe Peshkopi i Shkupit dhe Ekzark Apostolik në Maqedoninë e Veriut,Kiro Stojanov.
Ekzemplarët e parë të pullës postare iu ndan Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, Zëvendëskryeministrit Bujar Osmani dhe Peshkopit të Shkupit Kiro Stojanov.