ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” reagon me vendosmëri ndaj deklaratave të fundit të LSDM-së, të cilat përmbajnë pretendime të pasakta, të njëanshme dhe politikisht të motivuara lidhur me procedurën për zgjedhjen e operatorit ekonomik për mirëmbajtjen e higjienës në objektet e Postës.
Deklaratat në fjalë përbëjnë përpjekje të qëllimshme për dezinformim të opinionit publik dhe për diskreditim të një institucioni shtetëror, përmes keqinterpretimit të dokumentacionit zyrtar dhe shtrembërimit të procedurave të rregullta të prokurimit publik.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” thekson qartë se procedura e prokurimit është zhvilluar plotësisht në përputhje me Ligjin për Prokurime Publike, mbi baza transparente, konkurruese dhe të verifikueshme. Kontrata përkatëse parashikon qartë se realizimi i shërbimeve bëhet sipas nevojës reale të institucionit, në përputhje me kërkesat operative të njësive organizative dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në dokumentacionin kontraktual.
Është e rëndësishme të theksohet se mirëmbajtja e higjienës në Postë prej vitesh realizohet përmes operatorëve të jashtëm, për shkak të pamundësisë ekonomike dhe organizative për ta kryer këtë shërbim me kapacitete të brendshme. Kjo praktikë nuk është e re, as e jashtëzakonshme, por e zakonshme dhe e ligjshme në funksionimin e institucionit.
Po ashtu, sqarojmë se miratimi dhe verifikimi i kryerjes së shërbimeve bëhet nga drejtuesit e njësive organizative përkatëse, në përputhje me nevojat reale të objekteve dhe pikave të shërbimit, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të kufizuara vetëm në objektet qendrore, por përfshijnë edhe njësitë vartëse dhe pikat operative. Çdo pretendim se bëhet fjalë për “shërbime fiktive” apo “punë të pakryera” është i pavërtetë dhe i pambështetur në fakte.
Në këtë kontekst, ftojmë publikisht LSDM-në që, nëse pretendon se ekziston shkelje konkrete, t’i adresojë ato drejtpërdrejt dhe me emër, përmes institucioneve kompetente dhe jo përmes insinuatave politike dhe deklaratave të përgjithshme pa bazë faktike. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet transparencë reale dhe llogaridhënie institucionale.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” nuk do të tolerojë përpjekje për diskreditim publik, manipulim të opinionit apo përdorim të institucionit për qëllime politike ditore. Në rast se vazhdon përhapja e akuzave të pabazuara, institucioni do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore të parashikuara për mbrojtjen e reputacionit, integritetit institucional dhe besueshmërisë së tij.
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies, dhe qëndron e hapur për çdo kontroll institucional apo verifikim të bazuar në fakte dhe dokumentacion zyrtar.
Kabineti i Drejtorit të Përgjithshëm
ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut”
Shqip




