Share the post "Pulla postare e promovuar “60 vjet nga tërmeti i shkupit”"
Në kuadër të shënimit të 60-vjetorit të tërmetit të Shkupit, sot në ambientet e UNDP-së është promovuar pulla postare “Shkupi kujton 1963 – 2023”.
Pullën postare e promovuan përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan dhe drejtoresha e përgjithshme e SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” Bujare Abazi.
“Jetojmë në qytet solidariteti, një qytet që u ndërtua me dorën e shtrirë të botës, e cila u bashkua në atë vit të 63-të për të ndihmuar Shkupin tonë. Në historinë e tij të gjatë, qyteti u shemb dhe u rilind disa herë. Dhe gjithmonë, u ngrit përsëri, u rrit dhe u zhvillua, së bashku me banorët e saj.
Prandaj, sot, kur kujtojmë këtë fatkeqësi, kujtojmë edhe dorën e ndihmës së botës. Posta e Maqedonisë së Veriut ndër vite ka lëshuar një numër të madh pullash postare me motivin e qytetit të Shkupit.Kështu është edhe sot kur kujtojmë këtë fatkeqësi të tmerrshme “60 vjet nga tërmeti i Shkupit”, tha drejtoresha e përgjithshme e Postës së Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi, në fjalimin e saj në promovimin e sotëm.
Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së theksoi se pulla postare do të mbetet dëshmi e qëndrueshmërisë së qytetit të Shkupit dhe të gjithë dashamirët dhe koleksionistët – filatelistë do ta njohin rëndësinë e saj në shënimin e momenteve të rëndësishme historike për brezat e ardhshëm.
Pulla postare, me motivin e stacionit të vjetër hekurudhor, është vepër e Loran Koufalo nga Posta e Maqedonisë së Veriut. Është shtypur në tirazh prej 6.000 kopjesh dhe vlera nominale është 36 denarë.