Share the post "Nënshkruhet memorandumi për bashkëpunim me Postën e Kosovës"
Drejtoria e Postës së Maqedonisë dhe Posta e Kosovës më 10 Mars 2016 nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në rrjetin postar dhe marrëveshje për shtypjen e pullës së përbashkët postare me temë “turizmi malor”.
Në ceremoninë e nënshkrimit drejtori i Postës së Maqedonisë z. Faadis Rexhepi theksoi se “nënshkrimi i këtij Memorandumi për bashkëpunim në mes të dy drejtorive postare le të paraqesë impuls të ri për bashkëpunim të ardhshëm më gjithëpërfshirës dhe më të thellë”.
“Ne si drejtori postare çdo ditë ndeshemi me sfida të reja, ndërsa zhvillimi i vazhdueshëm u shndërrua në element thelbësor të zhvillimit postar. Kjo kontribuon në përmirësimin e raporteve me shfrytëzuesit, zhvillim të tregjeve të reja, përmirësim të zhvillimit profesional të punëtorëve, si dhe ngritje të vetëdijes për çështje sociale dhe ekologjike si kompani me përgjegjësi shoqërore”, deklaroi drejtori i Postës së Maqedonisë, z. Faadis Rexhepi.
Sipas tij, meqë pullat postare paraqesin gjuhë universale të komunikimit, të dy drejtoritë postare kanë vendosur të shtypin pullë të përbashkët postare në temën “Turizmi malor”, ndaj “për atë qëllim sot e nënshkruajmë edhe Marrëveshjen për emetimin e pullës postare”.
Para të pranishmëve u drejtua edhe drejtori i Postës së Kosovës z. Sejdi Hoxha i tha „ Dua të theksoj që në fillim se Posta e Kosovës dhe Posta e Maqedonisë janë shembull i bashkëpunimit edhe për institucione tjera të të dyja shteteve tona. Në këtë mënyrë ne kemi dëshmuar në praktikë vlerat evropiane të komunikimit dhe përkrahjes së ndërsjellë. Kjo padyshim se do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Do të krijojmë mundësinë që administratat tona postare të mund të organizojnë takime, seminare, konferenca të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave, njohurive dhe ekspertizave në fushën postare dhe çështje tjera”.